Hapet pikëkalimi i revitalizuar kufitar në Morinë
Prishtinë, 24 korrik - Shefat e Bashkim Evropian në Kosovë dhe
Shqipëri, Nataliya Apostolova dhe Romana Vlahutin, bashkë me
përfaqësuesit e lartë qeveritarë, do të hapin sot pikëkalimin e
revitalizuar kufitar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në Morinë.
Revitalizimi i pikëkalimit përfshin kabina të reja kontrolluese, sistem
elektronik dhe ndërtesën administrative të cilat do të mundësojnë
zbatimin e menaxhimit të integruar të kufirit.
Pikëkalimi kufitar në Morinë e mbulon pjesën më të madhe të qarkullimit
të mallrave në/nga/përmes Kosovës, si dhe pothuajse të gjithë trafikun
turistik që hyn në Shqipëri nga verilindja.
Projekti prej 1 milion euro, i financuar nga Delegacioni i BE-së në
Shqipëri, ofron infrastrukturë për kontrolle efikase të kufirit, në
përputhje me kërkesat e BE-së duke pasur parasysh standardet e
Shengenit.
Pikëkalimi i rindërtuar kufitar mbështet punën e policisë kufitare dhe
të migracionit, duke kontribuar në arritjen e efikasitetit më të lartë
dhe performancën më të mirë.