HANDIKOS pranon 253 pajisje ndihmëse nga Rotary Club
Prishtinë, 15 mars - HANDIKOS sot ka pranuar një kontigjent prej 253 pajisjeve ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara nga ‘’Rotary Club Prishtina International”, me mbështetje të Shoqatës “Konvoi der Hoffnung”.
Durim Gashi nga HANDIKOS ka shprehur falaënderime për këtë donacion, duke theksuar se këto pajisje kanë qenë shumë të nevojshme dhe në mungesë, për shkak edhe të kostos së lartë.
“Kontingjenti që kemi marrë me pajisje ndihmëse janë të natyrave të ndryshme. Mungojnë tek ne, janë të llojllojshme dhe kushtojnë shumë shtrenjtë. Bashkë me kolegët ne veç kemi fillu me i identifiku njerëzit që kanë nevojë për këto pajisje. Krejt ata kanë me kalu nëpër një proces të vlerësimit ”, tha Gashi.
Krenare Pireva-Nuçi, koordinatore e projekteve në Rotary Club Prishtina International – RCPI, tha që kjo është një ndihmë e madhe dhe të gjithë bashkëpunëtorët e kanë bërë të duhurën për këtë donacion.
Ndërsa Sabile Aliu Sahiti nga “Konvoi der Hoffnung” ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar deri në sjelljen e këtij donacioni në HANDIKOS.
“Dua të përshëndes mërgatën, të cilët kanë bërë transportin. Po ndjehem e lumtur dhe shpresoj të shkojnë aty ku kanë nevojë”, tha Aliu-Sahiti.
Marjan Dema, anëtar dhe ish-president i RCPI, tha se Rotary ka gjetur gjithmonë format e duhura që të shtrijë dorën e ndihmës sidomos për këtë kategori në nevojë.
“Rotary gjithmonë kanë gjetur forma që ta shtrijë dorën e ndihmës dhe në këtë rast për personat e nevojave te veçanta dhe mjete shumë të avancuara që kanë ndihmuar këta persona”, tha Dema.