Hajnat gjuajnë me armë mbi policinë
Klinë, 12 korrik - Në fshatin Krushevë e Madhe të Klinës raportohet se pas mesnate ka pasur një tentimvrasje ndaj oficerëve policorë të cilët ishin në detyrë.
\"Gjatë një vjedhje në progres njësitet policore kanë intervenuar për ti arrestuar të dyshuarit, mirëpo të dyshuarit me të vërejtur zyrtarët policorë kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre, me çrast edhe zyrtarët policorë kanë shtënë në drejtim të dyshuarve, të cilët kanë arritur që të ikin nga vendi i ngjarjes\", thuhet në raportin e policisë.
Si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit nuk raportohet për të lënduar. Njësitet relevante policore janë duke hetuar rastin.
Ndërsa, në një rast tjetër, në rrugën Demokracia në Prishtinë, raportohet se mbrëmë pas orës 22 ka pasur një gjuajtje me armë, me ç\'rast njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer procedurat e vendshikimit.
\"Më vonë tre ankues meshkuj shqiptarë janë lajmëruar në polici dhe kanë njoftuar se gjersa ishin në veturë, një i dyshuar mashkull shqiptar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre, mirëpo nuk i kishte qëlluar\", raporton policia.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar dy gëzhoja dhe një predhë, kurse njësitë policore janë në kërkim të personit të dyshuar.