Hagë, Haradinaj në paraburgim rinis gjyqi ndaj tij
Hagë, 21 korrik - Dhoma e Apelit të Tribunalit të Hagës për krime lufte ka marr vendim sot qe te rinis gjykimin e kryetarit të Aleancës për Ardhmerinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, deri në marrjen e një vendimi tjetër.
Haradinaj do të mbahet në paraburgim, pasi gjykatesi Patrick Robinson ka urdhëruar rigjykimin e cështjes në dy pika.
Robinson, sipas AP, thotë se gjyqi i dy viteve më parë u prish për shkak të intimidimit të dëshmitarëve.
Kjo çështje sipas njoftimit ka të bëjë me krime të kryera gjatë periudhës 1 mars 30 shtator 1998 në zonën e Dukagjinit në Kosovën perëndimore. Gjatë periudhës në fjalë Haradinaj ishte komandant i UÇK-së për zonën e Dukagjinit, Idriz Balaj ishte komandant i njësisë së UÇK-së Shqiponjat e Zeza dhe Brahimaj ishte anëtar i UÇK-së me bazë në shtabin e UÇK-së në Jabllanicë, në komunën e Gjakovës.
Michael OReilly, Koordinator i Ekipit të Mbrojtjes në Procesin e Ramush Haradinaj deklaroj se "Haradinaj ka konfirmuar se çështja më me rëndësi sot është opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të Kosovës. Duhet të garantohet ecja e Kosovës tutje në procesin e integrimit në bashkësinë e kombeve".
Para se të nisej për në Hagë, Haradinaj tha se zhvillimet e fundit rreth rastit të tij duhet të shihen në një kontekst më të gjerë. Kosova ka bërë progres të madh, dhe ne duhet të vazhdojmë të besojmë në institucionet ndërkombëtare përkundër prapakthimeve të përkohshme.
Oreilly tha se Ekipi Mbrojtës i Haradinaj është jashtëzakonisht i befasuar me vendimin e sotëm, kjo është diçcka që ne skemi mundur ta parashohim, posaçërisht duke pasur parasysh lirimin e tij të pamëdyshje dhe unanim të para dy viteve.
"Për ne tanimë çështjet më me rëndësi janë, së pari, që të sigurojmë kthimin e shpejtë të Haradinaj në Kosovë dhe, së dyti, të caktohet sa më shpejt data e rigjykimit të pjesshëm."
OReilly tha se nesër do të dalë edhe me një komunikatë tjetër, pasi që ekipi mbrojtës ta ketë studiuar të gjithë materialin.
Në prill 2008, Dhoma Gjyqësore i shpalli Haradinajn dhe Balajn të pafajshëm për të tëra akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Brahimaj u dënua me gjashtë vjet burgim për trajtim mizor dhe torturim të dy individëve në shtabin e UÇK-së në Jabllanicë.
Brahimaj u shpall fajtor për pjesëmarrje në trajtimin mizor dhe torturimin e Dëshmitarit 6, i cili prej mesit të qershorit 1998 u mbajt në shtabin e Jabllanicës. Gjithashtu ai u shpall fajtor për rolin që luajti në trajtimin mizor dhe torturimin e Dëshmitarit 3 gjatë marrjes së tij në pyetje, i cili u mbajt në shtabin e Jabllanicës në korrik 2008. Pas marrjes në pyetje Brahimaj u tha dy grave të veshura me uniforma të zeza që të ushtroheshin mbi viktimën dhe individët në fjalë filluan rrahjen e Dëshmitarit 3. Të dy viktimat u ndaluan, u keqtrajtuan dhe u diskriminuan sepse mendohej se bashkëpunonin ose kishin lidhje me serbët.
Prokuroria dorëzoi apelimin kundër Aktgjykimit të Dhomës Gjyqësore më 17 korrik 2008. Mbrojtja e Brahimajt e dorëzoi apelimin më 19 korrik 2008. Haradinaj dhe Balaj u liruan pas shpalljes së vendimit. Brahimaj u lirua përkohësisht me kusht deri në seancën e apelit të tij më 25 maj 2009. Më 2 korrik 2010 ai u urdhërua të kthehej në Njësinë e Paraburgimit për të qenë i pranishëm në shpalljen e Vendimit të Apelit.
Aktakuza fillestare kundër Haradinajt dhe dy të bashkakuzuarve u lëshua më 4 mars 2005. Të tre të Akuzuarit u dorëzuan më 9 mars 2005. Procesi gjyqësor filloi më 5 mars 2007 dhe Prokuroria e përfundoi paraqitjen e çështjes në nëntor 2007. Të tre ekipet mbrojtëse vendosën të mos paraqisnin dëshmi. Argumentet përmbyllëse u dëgjuan më 21-23 janar 2008.
Tribunali ka ngritur aktakuza kundër gjithsej 11 individëve, serbë dhe shqiptarë kosovarë për krime të kryera në Kosovë. Prej gjithë këtyre çështjeve ende vazhdon procesi gjyqësor kundër Vllastimir Gjorgjeviqit ish-zyrtar i policisë serbe i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër civilëve shqiptarë kosovarë në vitin 1999.
Që prej themelimit, Tribunali ka akuzuar formalisht 161 individë për shkelje të rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë gjatë periudhës 1991-2001. Kanë përfunduar proceset kundër 125 individëve. Janë ende duke u zhvilluar procese për 36 të akuzuar ku 18 prej tyre janë në fazën e gjykimit dhe 16 në apel.