Haga refuzon lirimin e Haradinaj për festa
Hagë, 23 dhjetor - Gjykata ndërkombëtare e Hagës ka refuzuar përfundimisht kërkesën e avokatëve të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për lirim të përkohshëm të tij.
Në kërkesën e mbrojtjes thuhej se Haradinaj kërkon lirim të përkohshëm nga 16 dhjetori deri më 8 janar 2012, sipas kushteve të propozuara, ose siç urdhëron Dhoma e Gjykatës.
Avokatët kanë siguruar gjykatën se gjatë lirimit të përkohshëm Haradinaj do të qëndrojë vetëm në shtëpinë e tij në Prishtinë dhe nuk do të bëjë asnjë deklaratë publike, e as nuk do të përfshihet në ndonjë aktivitetet politik.
Gjykata Ndërkombëtare e Hagës në vendimin e saj vlerëson se një kërkesë e tillë mund të cënojë procesin e rigjykimit të pjesshëm.
Gjykimi ndaj Ramush Haradinajt, njëherësh lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është shtyrë më 13 shkurt të vitit 2012.
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili ishte shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008, u rigjykua në muajin gusht në gjykatën e Hagës për krime lufte për një rigjykim të pjesshëm bashkë me dy ish-bashkëluftëtarët e tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj. Të tre akuzohen për vrasje, torturë dhe krime që bien ndesh me ligjet e luftës.