Grupi Llapit dënohet më 13 vjet
Trupi gjykues i përbërë prej gjyqtarëve të EULEX-it dhe të Kosovës i shpalli fajtorë të tre të pandehurit e Grupit të Llapit për krime të luftës kundër popullatës civile.
Të tre të pandehurit në këtë rast akuzoheshin për urdhërimin dhe marrjen pjesë në rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë të Kosovës të cilët gjatë periudhës 1998/1999 ishin ndaluar në mënyrë të kundërligjshme në qendrën e ndalimit në Llapashticë.
"Trupi gjykues, duke e marrë parasysh një dënim tjetër që ju ishte shqiptuar të pandehurve në tetor të vitit 2009 nga ana e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë dhe që ishte konfirmuar nga ana e Gjykatës Supreme të Kosovës në janar të vitit 2011, vendosi për dënimet e përgjithshme për Latif Gashin, 6 vite burgim, Rrustem Mustafen 4 vite burgim dhe Nazif Mehmeti, 3 vite burgim", njofton EULEX.
Prokurori i rastit ka kërkuar që Latif Gashi të vihet menjëherë në paraburgim, por trupi gjykues ka refuzuar kërkesën, meqë të pandehurit kanë qenë në paraburgim dhe se vendimi për dënimin e tyre ende nuk është i formës së prerë.
Nëse gjykata vendos të kompensojë paraburgimin, vuajtjen e dënimit në burg mund ta këtë vetëm i akuzuari Latif Gashi, ndërkaq të tjerët nuk do ta vuanin dënimin.
Ndaj këtij aktgjykimi ka reaguar pala mbrojtëse, e cila ka paralajmëruar ankesë.