Grupi i Drenicës edhe një muaj paraburgim
Prishtinë, 23 tetor - Sylejman Selimi, Sami Lushtaku dhe pjesëtarët e tjerë të Grupit të Drenicës do të qëndrojnë në paraburgim edhe së paku një muaj.
Gjykata Themelore në Mitrovicë sot ua ka vazhduar edhe për një muaj paraburgimin shtatë ish-pjesëtarëve të UÇK-së që dyshohen për kryerjen e krimeve të luftës gjatë konfliktit të fundit në Kosovë.
Gjykata ka marrë vendimin që të dyshuarit të qëndrojnë në paraburgim deri më datë 23 nëntor, duke vlerësuar se ekziston rreziku i ikjes së të pandehurve dhe i ndikimit tek dëshmitarët.
Avokati mbrojtës i Sylejman Selimit, një vendim të tillë e ka cilësuar skandaloz, të paligjshëm, të padrejtë dhe fyes.
Të pretendohet se Sylejman Selimi dhe bashkëluftëtarët e tij, të cilët kanë dhënë gjithçka duke luftuar për çlirimin e Kosovës, 14 vjet pas luftës do të iknin nga Kosova për të mos u përballur me shpifjet e njerëzve të shantazhuar dhe të blerë nga EULEX-i, më së paku është krim ndaj drejtësisë dhe fyerje e të gjithë luftëtarëve që luftuan të udhëhequr nga Selimi si komandant i tyre, ka thënë Gashi.
Ai ka paralajmëruar ankesë ndaj këtij vendimi dhe shfrytëzimin e çdo mundësie juridike që kjo padrejtësi dhe nënçmim i luftëtarëve të ish-UÇK-së të ndërpritet.