Grundevik: Suedia do të vazhdojë të mbështesë KFOR-in
Prishtinë, 14 qershor - Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Suedeze, Gjenerali Berndt Grundevik e vizitoi Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it në Prishtinë dhe shkëmbeu informata dhe mendime me Zëvendës-Komandantin e KFOR-it, Gjeneralin Marco Serronha lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë si dhe zhvillimet politike në rajon.
Gjenerali Grundevik theksoi që është i kënaqur me situatën e përgjithshme dhe të qetë të sigurisë, e cila është pozitivisht e ndikuar nga prezenca e KFOR-it si dhe me anagazhimin e vendeve, të cilat kontribuojnë me trupat e tyre, përfshirë këtu edhe vendin e tij.
Përkundër faktit që ka potencial të dhunës në veri të Kosovës, prezenca e KFOR-it atje i kontribuon parandalimit të incidenteve madhore.
Gjenerali Grundevik e konfirmoi rëndësinë e misionit dhe theksoi që Suedia aktualisht do të vazhdojë të mbështesë KFOR-in dhe do të vazhdojë të marrë përsipër detyrën shumë të rëndësishme për të lidhur misionin me popullatën vendore.
Suedia gjithashtu është edhe kombi përgjegjës në kuadër të Detashmentit të Përbashkët Rajonal Qendër.
Ekipet Ndërlidhëse dhe Monitoruese (LMT-të) Suedeze së bashku me ekipet e kombeve të tjera janë më se të rëndësishme për suksesin e KFOR-it.
LMT-të janë imazh i KFOR-it, meqë bisedojnë me popullatën në rrugë, me kryetarë komunash, me mësimdhënës si dhe përfaqësues të grupeve shoqërore dhe fetare, duke iu ofruar kështu ndjenjën e sigurisë, stabilitetit si dhe prezencës ndërkombëtare në rajon.
Gjatë takimeve të tij me ushtarët suedezë, Gjenerali Grundevik e çmoi lart angazhimin dhe punën e tyre në traditën e gjatë suedeze për të ofruar paqe dhe stabilitet në misonet jashtë vendit.
Që nga muaji gusht i vitit 1999, Forcat e Armatosura të Suedisë kanë qenë pjesë e KFOR-it.
Gjatë 12 vjetëve të fundit, me mijëra ushtarë suedezë kanë shërbyer në Kosovë dhe kanë dhënë kontributin e tyre për zhvillimet paqësore në rajon.
Tani, suedezët po e udhëheqin Detashmentin e Përbashkët Rajonal Qendër dhe një nga detyrat e tyre kryesore operacionale është të ofrojnë mbështetje për LMT-të në
Prishtinë dhe në Graçanicë.
Atje, ata i njohin të gjithë dhe janë partnerë të respektueshëm të popullatës vendore.
Përveç kësaj, eprorët suedezë janë të angazhuar edhe në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it (në Kosovafilm).
Aktualisht,gjithsej 70 ushtarë sudezë po shërbejnë në Kosovë, në kuadër të trupave të KFORit.