Gruaja dhe dy vajzat e Sopës, sot dalin para gjyqtarit
Prishtinë, 6 shkurt - Gruaja dhe dy vajzat, si tri të dyshuarat kryesore për vrasjen e familjarit të tyre, ish-zyrtarit të Qeverisë së Kosovës, Hamdi Sopa, pritet të dalin sot para gjyqtarit të procedurës paraprake.
Gjyqtari gjatë ditës së sotme pritet të vendosë nëse do të caktojë masën e paraburgimit të kërkuar nga prokurori i rastit, Blerim Isufaj, dy ditë më herët, pas arrestimit të tyre.
Prokurori Isufaj ka kërkuar nga Gjykata të lëshojë urdhëresë për bastisjen e banesës së të ndjerit.
Cak i hetuesve dhe Prokurorisë është gjetja e mjeteve, me të cilat viktima është goditur në kokë, para se të hidhej nga ballkoni i banesës së tij.
Gruaja dhe dy vajzat e Sopës, të hënën, janë prangosur me urdhër të Prokurorisë Themelore, nën dyshimin se ato janë të përfshira në vrasjen dhe hedhjen e familjarit të tyre të martën e kaluar nga kati i nëntë i banesës.
Vdekja e Hamdi Sopës fillimisht ishte konstatuar nga policia si vdekje e dyshimtë. Por, raporti i autopsisë nga Mjekësia Ligjore, i dorëzuar të hënën në Prokurori, ka konstatuar se vdekja e Sopës ka qenë vrasje e rëndë.