Grafite të ISIS-it në veri të Mitrovicës
Mitrovicë, 1 dhjetor - Në disa shtëpi të serbëve në veri të Mitrovicës, në fundjavë janë shkruar grafite të Shtetit Islamik, ISIS.
Më të dukshme, ato janë në afërsi të objektit të Telekom-it. Këto grafie kanë tmerruar serbët e veriut të Mitrovicës, të cilët shprehen të shqetësuar dhe të frikësuar për sigurinë e tyre.
Dragica Bashçvareviç , rreth të 50-ve, i ka thënë gazetës të shtunën, se siguria e qytetarëve të veriut të Mitrovicës është gjithnjë e më e rrezikuar, ndërsa mbishkrimet ISIS në mure dhe në dyer të shtëpive të tyre vetëm sa e dëshmojnë frikën dhe shqetësimin që kanë.
Gjithnjë e më shumë jemi të rrezikuar. Ekstremistët e ISIS-it janë gjithnjë e më prezentë në mjediset tona. Thjesht, frikohemi se ata mund të na sulmojnë. Nuk jemi të rrezikuar vetëm ne serbët, por edhe të tjerët, ka thënë ajo, raporton Zëri.
Policia në veri të Mitrovicës ka shtuar praninë e saj në këtë pjesë të vendit.
Policia i ka regjistruar rreth dhjetë raste të tilla, ka incizuar dhe ka fotografuar të gjitha mbishkrimet. Ajo çka mund të themi është se ato janë shkruar me sprej të njëjtë, kryesisht në shtëpi të serbëve. Policia është duke punuar në këto raste, ka thënë Zhelko Bojiç, shef i Operativës në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, duke u prononcuar për portalin Kossev në veri.
/Zëri/