04 Janar 2025

Gradohen 127 togerë në Polici të Kosovës

Prishtinë, 31 dhjetor - Policisë së Kosovës, pas një procesi disa mujor të testimeve dhe trajnimeve të suksesshme, i shtohen njëqind e njëzet e shtatë  (127) togerë, të cilët u graduan sot përmes një ceremonie virtuale, në të cilën morën pjesë menaxhmenti i lartë i Policisë së Kosovës dhe vet zyrtarët e graduar.

Ceremonia virtuale është udhëhequr nga u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti, i cili iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti.

''Duke ditur se sa është e rëndësishme kjo ditë për ju, familjet tuaja dhe për Policinë e Kosovës, do të doja që ky takim  të zhvillohej me një ceremoni ashtu siq ju e meritoni, mirëpo rrethanat e krijuara nga pandemia ‘Covid-19’  dhe qëllimi të ruajtjes së shëndetit, na ka detyruar që kësaj radhe të takohemi në këtë formë''.

''Ju jeni këtu në përfundim të një procesi të gjatë pas një rrugëtimi sa të vështirë aq edhe emocionues, i përcjellë me shumë sfida dhe mjaft konkurrues, që do të thotë se Policia e Kosovës ka selektuar më të suksesshmit nga radhët e saj'', ka theksuar Mehmeti.
 
 Ky proces gradimi sipas tij është thelbësor në zhvillimin e kuadrove të  reja dhe në  avancimin e vazhdueshëm të stafit policorë, me qëllim që t’u ipet mundësia që këto aftësi profesionale të shndërrohen në përformancë efektive.

''Marrë parasysh rëndësinë dhe pozitat në të cilat do të caktoheni, nga ju pritet një performancë dhe përkushtim ndaj përmbushjes së detyrave tuaja me qëllim të realizimit të misionit tonë në zbatimin i ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.''

''Nga ky moment i gradimit, ju do të jeni mbikëqyrës të vijës së mesme menaxhuese dhe do të merrni përgjegjësi për menaxhimin, udhëheqjen, mbikëqyrjen, trajnimin, këshillimin dhe disiplinën e të gjithë punonjësve të cilët do të jenë nën mbikëqyrjen tuaj.''

''Arritja e synimeve tuaja dhe ngritja në karrierë, juve ju shton vlerë dhe privilegj, por në të njëjtën kohë pritjet që organizata ka nga ju, janë të mëdha dhe unë jam i sigurt që ju do të punoni me përkushtim dhe do të jeni në nivel të detyrës çdo herë dhe në çdo kohë'', ka deklaruar Mehmeti.

Ruajtja e rendit dhe siguria sipas tij po bëhet gjithnjë e më komplekse dhe kjo po konfirmohet çdo ditë në teren. Nuk ka qenë kurrë më i nevojshëm  bashkëpunimi, për të zgjidhur çështjet dhe problemet që e preokupojnë komunitetin.

Duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e menaxhmentit, sfidat dhe vizionin e Policisë së Kosovës Mehmeti ka ftuar të gjithë që të tregohen personalisht përgjegjës dhe të përgjegjshëm për veprimet e tyre, duke qëndruar gjithmonë brenda kufijve të zbatimit të ligjit dhe profesionalizmit në  kryerje të të gjitha detyrave që do të ngarkohen.

''Ne do të punojmë së bashku, të vetëdijshëm që e ardhmja do të sjellë sfida të reja, rritja dhe kompleksiteti i të cilave do të ndryshojë vazhdimisht. Por unë jam i sigurt se në vazhdimësi  do të përballeni me to, do t’i tejkaloni ato me kurajë dhe zell, ndërsa  arritjet dhe sukseset do t’ju bëjnë më të fortë'', ka thënë në fund Mehmeti.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)