04 Maj 2024

Grabitje e armatosur në Skenderaj

Skenderaj, 16 shkurt - Një Taxi ngasës, grabitet nga dy persona të panjohur e të armatosur. Sulmuesit përshkruhen si të rinj të moshës mes 25 – 30 vjeç, njëri prej tyre me kapele të zezë ndërsa tjetri me flokë të gjata.

Policia e Kosovës ka filluar hetimet lidhur me rastin e regjistruar si grabitje e armatosur, të raportuar të ketë ndodhur rreth orës 18:30min, ndaj një taxi ngasësi të kompanisë “Nori”, në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Sipas informatës së  parë të pranuar nga policia, thuhet se dy persona të dyshuar, të panjohur dhe të armatosur, duke vënë nën kërcënim të drejtpërdrejtë viktimën e tyre, një mashkull 28 vjeçar, ngasës të veturës taxi, kanë marrë 10 euro dhe një telefon celular.

Veç kanosjes së drejtpërdrejtë me armë, nuk është raportuar për vënie në përdorim të armës apo sulm fizik të drejtpërdrejtë ndaj viktimës së këtij rasti. Të dyshuarit janë larguar nga taxi vetura, menjëherë pasi kishin realizuar qëllimin e tyre, të grabitjes.

Sipas deklaratës së siguruar nga viktima e rastit, thuhet se dy të dyshuarit kishin angazhuar ngasësin e taxi “Nori”, në Mitrovicë, për t’i dërguar të njëjtit deri në Skenderaj. Me të arritur në Skenderaj, të dyshuarit, thuhet se kanë kërkuar nga ngasësi, që të njëjtit t’i dërgoj deri në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Me të arritur në fshatin Llaushë, dy të dyshuarit, i kanë drejtuar armën në kokë, ndërsa kanë kërkuar paratë nga ngasësi. Viktima, i cili nuk kishte më tepër se 10 euro, i ka ofruar të njëjtat ndërsa të dyshuarit para se të largoheshin në drejtim të panjohur, i kanë marrë edhe telefonin celular ndërsa i kanë dëmtuar radio lidhjen e taxi-së.

Rasti është kualifikuar si vepër penale “Grabitje” në bashkëveprim, e paraparë në bazë të nenit 255 të Kodit Penal të Kosovës ndërsa sektori i hetimeve është duke u marrë me rastin e raportuar.

Hetuesit policor të sektorit rajonal për hetime të krimeve serioze, janë duke përpunuar të dhënat dhe deklaratat e siguruara në ndërtimin e profilit të mundshëm të kryesve të këtij akti kriminal ndërsa i bëjnë kërkesë qytetarëve që të ndihmojnë në dhënien e çdo lloji të informacionit të mundshëm që do të konsideroheshin si të vlefshme për zbulimin e kryesve të këtij akti kriminal.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)