Grabitje e armatosur në Mitrovicë
Mitrovicë, 8 shkurt - Policia e Kosovës ka filluar hetimet lidhur me rastin e regjistruar si grabitje e armatosur, të raportuar të ketë ndodhur rreth orës 21:00 në rrugën Mbretëresha Teutë, përkatësisht në një lokal të kompanisë IPKO Trionet, në afërsi të stacionit të autobusëve në Mitrovicë.
Sipas informatës së parë të pranuar nga policia, thuhej se dy persona të dyshuar, të panjohur dhe të armatosur, duke vënë nën kërcënim të drejtpërdrejtë viktimën e tyre, një mashkull 24 vjeçar, punonjës në lokal, kanë marrë para të gatshme në vlerë prej 305 euro.
Veç kanosjes së drejtpërdrejtë me armë, nuk është raportuar për vënie në përdorim të armës apo sulm fizik të drejtpërdrejtë ndaj viktimës së këtij rasti. Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas realizimit të qëllimit të tyre, të grabitjes.
Njësitë policore të stacionit jugu nën përkrahje të hetuesve rajonal të sektorit për krime serioze, kanë filluar hetimet e menjëhershme të rastit me qëllim të identifikimit të kryesve të këtij akti kriminal.
Rasti është kualifikuar si vepër penale Grabitje në bashkëveprim, e paraparë në bazë të nenit 255 të Kodit Penal të Kosovës ndërsa sektori i hetimeve është duke u marrë me rastin e raportuar.
Pasi policia posedonte një përshkrim fizik të sulmuesve të mundshëm këtij akti kriminal, ka vënë në veprim planin unaza e çeliktë duke vendosur pika kontrolli në vendet dhe lokacionet e mundshme të qarkullimit të dyshuarve.
Hetuesit policor të sektorit rajonal për hetime të krimeve serioze, janë duke përpunuar të dhënat dhe deklaratat e siguruara në ndërtimin e profilit të mundshëm të kryesve të këtij akti kriminal.