Grabitje e armatosur në filialin e bankës
Prishtinë, 28 gusht - Policia e Kosovës njofton se sot rreth orës 10:00, ka ndodhur një grabitje e armatosur, në filialin e një banke e cila gjendet në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë.
"Menjëherë pas marrjes së informacionit, policia me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore, për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin", njofton policia.
Mbështetur në informatat e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet, dyshohet se kjo grabitje është realizuar nga persona të dyshuar, të cilët kanë qenë të maskuar dhe të armatosur.
"Të dyshuarit pasi kanë grabitur një shumë të konsiderueshme parash, nën kërcënimin e armës duke shtënë në ajër, janë larguar nga vendi i ngjarjes. Për të konfirmuar shumën e parave të grabitura policia është duke punuar ngushtë me zyrtarë të bankës", njofton policia.
Deri tani policia ka arritur të sekuestrojë një motor, që dyshohet se është përdorur prej të dyshuarve, për t'u larguar nga vendi i ngjarjes. I njëjti po ekzaminohet nga njësitet përkatëse.
Drejtoria rajonale e policisë - Prishtinë zotohet se do të ketë në fokusin e përditshëm të punës së saj luftën kundër krimit, kapjen dhe arrestimin e të dyshuarve të akteve kriminale si dhe garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike.
"Ftojmë të gjithë qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me rastet kriminale e veçanërisht për rastin e sipërshënuar të mbështesin policinë me informacionet e tyre për hetimin dhe zbulimin e akteve të tilla", thuhet në një kumtesë të policisë.