Goditet grupi kriminal, arrestohen 8 persona për krim të organizuar
Të dyshuarit e arrestuar janë: A. P. i lindur me 1999, K. K. i lindur me 1998, F. C. i lindur me 2003, A.M. i lindur me 1995, G. I. i lindur me 1998, D.R. i lindur me 2004, E.C. i lindur me 1993 dhe L.B. i lindur me 2000.
Rastet e hetuara dhe në të cilat dyshohet se janë përfshirë personat e dyshuar tani më të arrestuar janë, rasti i datës 19.06.2022, ku rreth orës 02:20 ka ndodhur një zjarrvënie në një lokal në “Dardani” të Prishtinës, ku dyshohej se zjarri ishte shkaktuar nga hedhja e një shisheje me benzinë (koktej molotovi), e cila kishte shkaktuar vetëm dëme materiale.
Po ashtu me datë 22.06.2022, diku rreth orës 03:30, në të njëjtin lokacion afër këtij lokali në Prishtinë ishte hedhur një granatë dore e cila kishte shkaktuar vetëm dëme materiale në tri veturat të cilat ishin të parkuara.
Ndërsa me datën 06.06.2022, diku në ora 03:03, në rrugën “Shemsi Ahmeti” në Mitrovicë ishte hedhur një granatë dore e cila nuk ishte aktivizuar (shpërthyer). Granata në fjalë nga vendi i ngjarjes ishte tërhequr nga njësia përkatëse e PK-së.
Më datë 28.06.2022, diku rreth orës 03:30, në rrugën e Mullirit në Mitrovicë, ishte hedhur një granatë dore e cila kishte shkaktuar vetëm dëme materiale.
Referuar rasteve të ndodhura janë ndërmarrë veprime konkrete nga sektori i hetimeve në kuadër të DHKO-së, me qasje hetimore pro aktive me autorizim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ku është arritur të identifikohet grupi i organizuar kriminal të përfshirë drejtpërdrejtë në kryerjen e akteve kriminale të lartcekura.
Me veprime operacionale të ndërmarra në vazhdimësi është arritur që të arrestohen tetë (8) personat e dyshuar për të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejtë në kryerjen e veprave penale të lartcekura.
Në cilësi të prova materiale janë sekuestruar: Tetë telefona mobilë, Një veturë, 6.7gramë substancë narkotike (marihuanë), si dhe Prova të tjera materiale të cilat shërbejnë në procedurë të mëtejme.
Personat e dyshuar fillimisht me urdhër të prokurorit kanë qenë në mbajtje, pastaj sipas vendimit të Gjykatës u është vazhduar masa e paraburgimit për tridhjetë (30) ditë.
Vlen të theksohet, se njeri nga personat e arrestuar ishte në kërkim me fletë arrest nga gjykata kompetente.