GLPS, thirrje për disiplinim të gjyqtarëve që marrin vendime të kundërligjshme
Prishtinë, 13 nëntor - Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) organizon tryezën e diskutimit me temë “Roli i vendimeve të Gjykatës Supreme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit: Një thirrje për disiplinim të gjyqtarëve që marrin vendime të kundërligjshme”.
Kjo tryezë diskutimi e cila do të mbahet sot ka për qëllim të diskutojë mbi detyrimet kushtetuese të Gjykatës Supreme për të garantuar që vendimet e saj që konstatojnë gjendje të paligjshmërisë të adresohen në mënyrë efektive nga gjykatat më të ulta.
Për më tëpër, diskutimi do të fokusohet edhe në praktikat e vendeve të rajonit dhe mënyrën e adresimit të rasteve të tilla.
Gjatë këtij diskutimi do të publikohet një Analizë Politikash e titulluar: “Vendimet e Gjykatës Supreme: Ndikimi i tyre në sistemin gjyqësor të Kosovës”.
Ky studim analizon disa nga rastet ku Gjykata Supreme e Kosovës duke vendosur lidhur me kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruara nga ana e Prokurorisë së Shtetit, nxjerrë aktgjykime me të cilat konstatohet shkelje e ligjit penal.
Si pasojë e njëjta nuk i prish vendimet e formës së prerë të gjykatave të ulëta, respektivisht ato të Gjykatës së Apelit, por kufizohet vetëm në konstatimin e shkeljeve të ligjit penal.
Edhe pse në këto raste po konstatohet shkelja e ligjit penal, të njëjtat po përfundojnë pa asnjë efekt duke mos u marrë asnjë hap tjetër shtesë as nga ana e Gjykatës Supreme e as nga ana e Gjykatës së Apelit.
Me anë të kësaj analize gjithashtu shtjellohen detyrimet ligjore që përkojnë mbi Gjykatën Supreme, si gjykata më e lartë në sistemin gjyqësor, dhe ato që përkojnë mbi Gjykatën e Apelit, si shkalla e dytë në këtë sistem.
Për më tëpër, kjo analizë ofron një varg rekomandimesh që qartësojnë zbraztirat juridike të sistemit të drejtësisë në Kosovë.