GLPS reagon ndaj emërimit të Kryeprokurorit të Prokurosisë Speciale dhe Prokurorisë Themelore
Prishtinë, 24 dhjetor - Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) shpreh shqetësimin e saj lidhur me procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Prokurosisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishinë (PTHP).
Ky proces i menaxhuar tërësisht nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) paraqet tentativën e dytë të KPK-së për emërimin e kryeprokurorit të PSRK-së.
"Rikujtojmë që konkursi për përzgjedhjen e kryeprokurorit të PSRK-së është zhvilluar në fillim të vitit 2019 dhe i njejti është anuluar me datën 25 prill 2019, meqenëse është vlerësuar që rregullorja që përcaktonte mënyrën e përzgjedhjes së tij ishte jo-kushtetuese."
"Prandaj, si rrjedhojë kanë ndodhur ndryshimet legjislative dhe është amandamentuar Rregullorja për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive themelore të Republikës së Kosovës", thekson GSPJ.
GLPS ka reaguar edhe ndaj miratimit të kësaj rregulloreje meqenëse e njejta ka vlerësuar që “mënyra e përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit dhe kryeprokurorëve - siç është përcaktuar me këtë Rregullore të sapo-miratuar - lë hapësire të gjerë abuzimi me kandidaturat, dhe nuk respekton parimin e barazisë para ligjit, sigurisë juridike, meritës së përzgjedhjes dhe kompetencës ekskluzive të KPK-së për të konsideruar dhe refuzuar çdo kandidat që konkuron për një pozitë të tillë në mënyrë shtjerruese; klauzola e konfliktit të interesit dështon që të përfshijë gamën e gjerë të situatave të papërshtatshme që i parashikon Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”.
Kjo ngase sipas GLPS-se kjo Rregullore si e tillë ka lejuar dhe lejon emërimin e kryeprokurorëve përkatës duke abuzuar me kandidaturat, parimin e barazisë para ligjit etj., dhe për më tepër, kufizon gamën e gjerë të situatave të papërshtatshme që i parashikon Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, fakte që konsiderohet që kanë ndikuar direkt në emërimin e kryeprokurorëve përkatës në PSRK dhe PTHP.
Më saktësisht, GLPS konsideron që mënyra e përzgjedhjes e përcaktuar me rregulloren e lartëpërmendur ka qenë jo kushtetuese ngaqë e njejta nuk ka garantuar parimin e barazisë para ligjit, sigurinë juridike dhe meritën e përzgjedhjes që duhet shoqëruar një proces të tillë.
Njëkohësisht, fakti që të dy të emëruarit kanë marrë tërë votat e KPK-së, pa asnjë abstenim dhe asnjë votë kundër, është tregues i një marrëveshje më të gjerë për zgjedhjen e tyre, e jo një proces meritor.
Prandaj, GLPS shpreh indinjaten e saj lidhur edhe me këtë proces të politizuar dhe jo meritor.