GlobalPost: SHIK-u, i sponsoruar nga CIA
Boston, 28 mars - Web-faqja autoritative e lajmeve nga Bostoni i SHBA-së, Global Post në një shkrim të gjatë me titullin Mafia e Kosovës vrasje dhe frikësim, fokusohet në aktivitetet e SHIK-ut, duke thënë se kjo organizatë gjatë gjithë kohës ka marrë përkrahje të fortë nga Uashingtoni.
Menjëherë pas luftës së vitit 1999, agjencia famëkeqe e inteligjencës u bë një entitet jashtëligjor që fillimisht ishte nën komandën e lëvizjes guerile fitimtare UÇK që kishte përkrahjen e SHBA-së. Më pas u udhëhoq nga PDK-ja thonë burime amerikane dhe kosovare. Lideri i partisë është Hashim Thaçi, që fitoi së fundi mandatin e dytë në pushtet, dhe që ka përkrahjen e nivelit më të lartë në Uashington.
Sot, SHIK-u nuk ka zyre dhe zyrtarisht nuk ekziston, sipas njeriut që e ka udhëhequr për 9 vjet. Por, burimet e lidhura me SHIK-un, thonë se ai mbetet aktiv për të mbajtur status-quon nëpërmjet frikësimit dhe shantazhit, shkruan gazetari Matthew McAllaster, raporton Indeksonline.
Vetë udhëheqësi i SHIK thotë se ka pasur mbështetjen e SHBA-së, diçka që konfirmohet edhe nga një ish-pjesëtar i SHIK-ut, një ish-mbledhës i fondeve për luftën, një diplomat ndërkombëtar dhe një analist politik.
Global Post ka intervistuar Nazim Bllacën që thotë se ka vrarë për SHIK-un. Kjo gazetë ka intervistuar edhe Adem Salihajn dhe Agim Veliun, që kanë thënë se SHIK-u ka bërë atentate ndaj tyre, sikurse edhe Drita Kllokoqin, burri i së cilës u vra nga Nazim Bllaca, si dhe vetë kreun e SHIK-ut, Kadri Veselin.
Ky i fundit e pranon ndihmën e SHBA-së, dhe në mënyrë indirekte pranon se ka marrë pjesë në secilin manifestim të organizuar nga Ambasada e SHBA-së për nder të 4 korrikut Ditës së Pavarësisë së Amerikës.
Shumica e njerëzve që folën me GlobalPost për SHIK-un, aktivitetin e tij dhe lidhjet me SHBA-në, kanë folur në kushte anonimiteti, sepse kanë frikë për jetën e tyre.
U sponsorua nga CIA, tha një ish-zyrtar i lartë amerikan në Kosovë, që beson se SHIK-u u kthye në një organizatë të krimit të organizuar. Në fillim ishin nja 16 persona të përzgjedhur mirë dhe të trajnuar për të bërë gjëra të mira
por u shndërrua në organizatë që kontrollon krimin dhe politikën e Kosovës, thotë zyrtari amerikan.
Sipas tij, SHIK-u ende mbështetet nga SHBA-ja, dhe atë më shumë se kurrë tash.
Një ish-pjesëtar i SHIK-ut që nuk jeton më në Kosovë thotë se anëtarët e tij janë trajnuar në SHBA dhe në Gjermani, nga zyrtarë amerikanë të inteligjencës.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në:
http://www.globalpost.com/dispatch/news/regions/europe/110321/kosovo-intelligence-services?page=full