Gjyqtarët e EULEX-it sot mbajnë seancën e fundit në Kosovë
Prishtinë, 12 qershor - Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës do të mbaj sot seancën e Kolegjit të Specializuar të Dhomës së Posaçme.
"Mbahet seanca e fundit me gjyqtar të EULEX-it te Kolegjit te Specializuar II, te Dhomës se Posaçme të Gjykatës Supreme", thuhet në njoftimin për media.
Kjo seancë që do të mbahet nga sot në Pallatin e Drejtësisë, do të jetë po ashtu seanca e fundit me gjyqtar të EULEX-it.
Këshilli Evropian ka vendosur që të rifokusojë mandatin e misionit të sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë, EULEX.
Që nga 14 qershori, misioni do të përqendrohet në: monitorimin e rasteve të zgjedhura dhe gjykimeve në institucionet penale dhe civile të Kosovës, monitorimin, mentorimin dhe këshillimin e shërbimit korrektues të Kosovës duke vazhduar mbështetjen operacionale për zbatimin e marrëveshjeve të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.