Gjykata vendos sot për lirimin e Donika Kadaj-Bujupi
Prishtinë, 24 nëntor - Gjykata e Apelit pritet të vendos rreth ankesës së mbrojtjes për deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi.
Avokati i deputetes, Arianit Koci ka thënë për Zeri.info se shqyrtimi i ankesës pritet të bëhet gjatë ditës së sotme.
Ankesën e kam dorëzuar javën e kaluar dhe lëndët me paraburgim kanë prioritet. Sidoqoftë, Gjykata e Apelit është shumë e ngarkuar me lëndë, dhe mu kjo është arsyeja pse nuk është trajtuar deri me tani, ka thënë ai.
Koci thotë se beson në sistemin e drejtësisë dhe ka shumë shpresë se ankesa do të aprovohet. Ka bazë të fortë juridike dhe faktike. Janë në opsion te gjitha masat, prej arrestit shtëpiak deri te heqja e te gjitha masave, nëse aprovohet ankesa, është shprehur mbrojtësi i deputetes Kadaj-Bujupi.
Ndryshe, deputetja e AAK-së është arrestuar të mërkurën e javës së kaluar në shtëpinë e saj pas fletarrestit të lëshuar nga Gjykata lidhur hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.