Gjykata vendos që Limaj të merret në pyetje nga prokurori i EULEX
Prishtinë, 3 tetor - Gjykata e Qarkut e Prishtinës ka hedhur poshtë ankesën e avokatit të Limajt, Tahir Rrecaj, kundër ftesës së prokurorit për ta marrë në pyetje për dyshimet për korrupsion që lidhet me Ministrinë e Transportit.
Sipas gjykatës, Limaj ka qenë i obliguar tu përgjigjej pyetjeve të prokurorit qysh më 11 shtator, e jo të heshte, shkruan \"Koha Ditore\".
Më 19 shtator 2012, Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka konfirmuar në bazë të ligjit se Fatmir Limaj ishte i detyruar të paraqitet para prokurorit të EULEX-it të Prokurorisë Speciale, i cili është në krye të hetimeve kundër tij, ka thënë zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.
Neni 230 i Kodit të Procedurës Penale të Kosovës thotë se i dyshuari është i detyruar të paraqitet para prokurorit publik pas pranimit të thirrjes nga prokuroria. Sipas këtij neni, i dyshuari mund të paraqesë ankesë te gjyqtari i procedurës paraprake për të vendosur mbi ligjshmërinë e paraqitjes së tij para prokurorit publik, ka deklaruar ai.