Gjykata Themelore vendos masën e sigurisë ndaj prokurores Badivuku
Prishtinë, 24 gusht - Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka filluar seanca dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj prokurores Vahide Badivuku, nga Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, e cila së bashku me dy të arrestuar të tjerë, ndërmjetësues, dyshohen për vepra penale marrje të ryshfetit, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe ushtrim i ndikimit.
Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës një person i tretë gjendet në arrati. Ndërsa e pandehura V.B., është arrestuar nën dyshimin se ka marrë ryshfet për ti liruar disa vetura të sekuestruara, në një lëndë penale, të cilën ajo e ka pasur në hetime.
V.B. ka kërkuar ryshfet në shumën prej 22.000 euro (njëzetedymijë euro) përmes ndërmjetësuesve dhe pas dorëzimit të shumës në fjalë, si prokurore e rastit ka përpiluar kërkesën për lirim të automjeteve.
\"Mbrëmë gjatë kontrollit në pikë kalimin kufitar në Merdare, është kontrolluar e pandehura V.B. dhe në çantën e saj janë gjetur shuma prej 5.000 euro, të cilat janë pjesë e 22.000 eurove të pranuara ryshfet\", thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.