Gjykata Themelore kërkon tu hiqet imuniteti Hasanit dhe Rama-Hajrizit
Prishtinë, 1 korrik - Departamenti i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka kërkuar nga Nënkomisioni për mandate dhe imunitete, i cili vepron në kuadër të Komisionit për Legjislacion, të marrë vendim për heqjen e imunitetit për Enver Hasanin, ish-kryetar i Kushtetueses, dhe për Arta Rama-Hajrizin, kryetare aktuale e këtij institucioni.
Zhveshja nga imuniteti është kërkuar pas nisjes së hetimeve ndaj të pandehurve për veprat penale Falsifikim i dokumentit zyrtar në rastin e emërimit të gjyqtarëve ndërkombëtarë dhe Aktgjykimi i kundërligjshëm mbi zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit.
Mbi të pandehurit rëndojnë dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, shkruan sot Koha Ditore.
Kërkojmë nga ky Komision që ta shqyrtojë dhe vlerësojë çështjen e imunitetit të të dy të pandehurve dhe atë kundër të pandehurit Enver Hasani, si kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe kundër të pandehurës Arta Rama-Hajrizi, si gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese për veprat penale për të cilat është marrë aktvendim për fillimin e hetimeve më datë 14.4.2015, e në rastin konkret të marrë edhe vendim për heqjen e imunitetit për të pandehurit, thuhet në shkresën që Gjykata Themelore ia ka drejtuar Komisionit për legjislacion, mandate, imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.
/Koha Ditore/