Gjykata Supreme urdhëron rigjykim e Skender Vocës
Prishtinë, 13 qershor - Një trup gjykues i përzier, i kryesuar nga një gjykatës i EULEX-it, në Gjykatën Supreme të Kosovës urdhëroi rigjykimin e Skender Vocës i shpallur fajtor për veprën penale të vrasjes dhe i dënuar me 17 vite burgim.
Gjykata Supreme e miratoi ankesën e mbrojtjes dhe e anuloi aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prizren, kurse lëndën e ka kthyer në rigjykim.
Trupi gjykues në arsyetimin e tij tha se fillimisht nuk është vërtetuar si duhet lidhshmëria e dëshmive me përgjegjësinë penale të Skender Vocës lidhur me zhdukjen dhe vdekjen e Ajedin Qeretit. Për këtë arsye, duhet të rivlerësohet gjendja faktike.
Trupi gjykues e refuzoi kërkesën e mbrojtjes për ndërprerjen e burgimit për të pandehurin. Po ashtu, ai nuk i mori parasysh ankesat e prokurorit dhe palës së dëmtuar lidhur me cilësimin e veprës dhe të njëjtat i veçoi.
Skender Voca ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Qarkut në Prizren në mars 2011 për vrasjen e Ajedin Qeretit në bazë të provave rrethanore. Qereti qe zhdukur në gusht 1999, kurse mbetjet mortore të tij ishin gjetur në korrik 2002.