Gjykata supreme sot do të shqyrtojë rastin Kleçka"
Prishtinë, 20 nëntor - Gjykata supreme në Prishtinë do të shqyrtojë sot kërkesën e prokurorit Mauritzo Saulustro, paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut, me të cilin janë liruar Fatmir Limaj dhe të tjerët në rastin Kleçka.
Avokati mbrojtës i deputetit Limaj ka thënë se ai dhe klienti i tij ka paraqitur me shkrim ankesën dhe do të jenë në gjykatë kur të nisë seanca e kolegjit.
Mbrojtja ka paraqitur me shkrim ankesën, por edhe faktet kundër ankesës së prokurorit të EULEX-it gjithashtu edhe kundër ankesës për akt-vendimin i cili ka shpallur provat e papranueshme, në këtë rast dëshminë e Agim Zogajt. Presim që gjykata të refuzojë ankesën e prokurorit dhe të vërtetojë aktgjykimin e shkallës së parë, ka thënë Tahir Rrecaj avokat i Limajt.
Në këtë seancë përveç Fatmir Limajt do të ketë procedurë edhe kundër Nexhmi Krasniqit, Naser Krasniqit dhe Naser Shalës, të cilët konsiderohen si eprorë gjatë luftës.
Nëse të gjitha palët paraqesin argumentet e tyre, vendimi pritet të merret ditën e sotme.