Gjykata Supreme e vërtetoi dënimin e Nexhat Dacit
Prishtinë, 15 korrik - Një trup gjykues i përzier me dy gjykatës kosovar dhe një të EULEX-it në Gjykatën Supreme, në aktvendimin e tyre lidhur me ankesën e parashtruar, kryesisht e kanë konfirmuar ndërsa e kanë ndryshuar pjesërisht vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë kundër Nexhat Dacit dhe Ahmet Alishanit të datës 10 nëntor 2010.
Gjykata Supreme e vërtetoi dënimin e Nexhat Dacit për shpërdorim të detyrës si dhe dënimet e shqiptuara.
Gjykata supreme e ka modifikuar aktgjykimin e shkallës së parë vetëm për arsye formale për sa i përket kontributit të Ahmet Alishanit, dhe i ka rishkruar pjesët përkatëse të dispozitivit, deri sa u vërtetua cilësimi i kontributit të Ahmet Alishanit si ndihmë në shpërdorim të detyrës të kryer nga Nexhat Daci. Po ashtu, Gjykata Supreme i urdhëroi të pandehurit që bashkërisht tia kompensojnë Kuvendit shumën prej 1.540 Euro për dëmin e shkaktuar me këto vepra penale. Ndalimi për Nexhat Dacin që të ushtrojë funksione publike u anulua.
Rasti kishte të bënte me blerje të pasurisë dhe shërbimeve me urdhër të Nexhat Dacit e që u paguan nga buxheti i Kuvendit të Kosovës kurse u përdorën privatisht. Nexhat Daci në atë kohë ishte Kryetar i Kuvendit, kurse Ahmet Alishani ishte Këshilltar për Siguri i Kryetarit të Kuvendit.
Gjykata e Qarkut në vitin 2010 e shpalli Nexhat Dacin fajtor për shpërdorim të detyrës dhe e dënoi me një vit e 6 muaj burgim. Ahmet Alishani kishte ndihmuar në këtë vepër penale dhe u dënua me 6 muaj burgim. Të dyja dënimet u patën pezulluar për një periudhë verifikimi prej 2 vitesh. Përveç kësaj, gjykata e kishte shqiptuar ndalimin e ushtrimit të funksionit publik për dy vite pas vuajtjes së dënimit.
Ky aktgjykim lidhur me ankesën është shpallur më 13 korrik 2011. Aktgjykimi i Gjykatës Supreme është përfundimtar. Kundër këtij vendimi nuk ka ndonjë masë ligjore.