Gjykata Speciale prezanton sot detajet e para
Hagë, 15 shtator - Gjykata Speciale Kosovës dhe Zyra e Prokurorit për herë të parë sot do të mbajnë konferencë për shtyp në Hagë.
Administratorja e Speciales, Fidelma Donlon, në këtë konferencë pritet të shpjegojë procesin e themelimit të Dhomave të Specializuara, që sipas tyre po shkon sipas planit.
Dhomat e Specializuara do të fillojnë komunikim të drejtpërdrejtë dhe dr. Donlon do të prezantojë faqen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Internet, thuhet në njoftimin.
Pas shpjegimit nga Fidelma Donlon në konferencë për media do të flasë prokurori i specializuar, David Schwendiman.
Schwendiman do të flasë për emërimin e tij si Prokuror i Specializuar dhe do të shpalosë këndvështrimin e tij mbi rolin dhe përgjegjësinë e Prokurorit të Specializuar dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.