Gjykata Speciale gjatë verës do të vazhdojë me rekrutimin e stafit
Prishtinë, 28 qershor - Gjykata Speciale gjatë muajve të verës do të vazhdojë me rekrutimin e stafit të nevojshëm, në mënyrë që në fund të këtij viti apo më së largu në fillim të vitit të ardhshëm ti ngrejë aktakuzat e para.
Gjykata Speciale gjatë kësaj vere do të kompletohet me gjithë stafin administrativ, me prokurorë e gjyqtarë, në mënyrë që deri në fund të këtij vitit të jetë e gatshme për fillimin e punës dhe shpalljen e aktakuzave të para ndaj ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët pretendohet se kanë kryer krime gjatë luftës së fundit në vend.
Drejtues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë i kanë thënë gazetës Zëri se procesi në raport me Dhomat e Veçanta është duke vazhduar dhe nuk ka vonesa.
Javën e kaluar Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar buxhetin për Dhomat e Veçanta dhe Zyrën e Prokurorit Special dhe një numër i masave logjistike dhe administrative janë ndërmarrë, duke përfshirë këtu shpalljen për disa pozita gjatë muajit maj. Procesi i radhës rekrutues pritet të nisë gjatë kësaj vere, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë për gazetën Zëri.
Në anën tjetër, analistët politikë në vend thonë se ka pasur vonesa në operacionalizimin e Gjykatës Speciale. /Zëri/