Gjykata për UÇK-në do të funksionojë në tri shtete
Prishtinë, 2 prill - Gjykata Speciale që do të trajtojë aktakuzat nga hetimi trevjeçar për dyshimet e ngritura nga Dick Marty, do të funksionojë në tri shtete.
Gjykata speciale për krimet e Luftës në Kosovë do të ketë selinë qendrore në Bruksel. Në Prishtinë do të ketë një zyrë administrative, ndërsa seancat gjyqësore do të mbahen në Holandë, sipas të gjitha gjasave në Hagë.
Zyra në Prishtinë, do të jetë administrative dhe do të ketë funksion të komunikimit me publikun.
Selia në Bruksel është vendqëndrimi i prokurorëve dhe stafit kryesor të gjykatës, ndërsa vendimi që seancat të mbahen në Holandë është krejtësisht praktik, janë shprehur zyrtarë të afërt me ekipin që po e përgatit gjykatën speciale, shkruan Tribuna.
Shumica e shteteve anëtare të BE-së kanë refuzuar të pranojnë krijimin e gjykatës për shkak të mungesës së rregullimit të brendshëm ligjor për këtë çështje, ndërsa Holanda, tashmë ka pasur disa gjykata ndërkombëtare brenda territorit të saj dhe nuk ka pengesa ligjore të tilla.
/Tribuna/