Gjykata lë në fuqi masën e arrestit shtëpiak ndaj Fisnik Ismajlit
Prishtinë, 8 dhjetor - Sot, një kolegj penal prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit, ka lënë në fuqi masën e arrestit shtëpiak prej një muaji, ndaj të pandehurit Fisnik Ismajli.
Kështu, Apeli ka refuzuar si të pa bazuar, ankesën e avokatit mbrojtës, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, PPKR.nr.496/2015 , të datës 01.12.2015.
I pandehuri po dyshohet nga ana e prokurorisë, për veprën penale: Mbajte në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve, nga neni 374 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, pretendimet ankimore janë të pa bazuara, ngase prej shkresave të lëndës, respektivisht, prej provave të mbledhura gjerë me tani, rezulton dyshimi i bazuar, se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet, dhe se a do të argumentohen këto fakte, është çështje që do të vërtetohet gjatë fazave të mëtutjeshme procedurale.
Kolegji i vlerëson po ashtu si të pa bazuara edhe pretendimet se i dyshuari ka imunitet funksional, pasi që Gjykata e Apelit, nuk është kompetente për vlerësimin e kushtetutshmërisë se Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Një interpretim të tillë e bënë Gjykata Kushtetuese, vendimet e së cilës janë të obligueshme për gjyqësorin. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese AGJ.138/11, çështja e imuniteti sa i përket veprave penale është sqaruar.
Gjykata e Apelit, vlerëson se ende ekzistojnë arsye ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak konform nenit 183 lidhur me nenin 187 të Kodit të Procedurës Penale.
Në rastin konkret, duke pasur parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, arsyetohet frika e bazuar, se po që se i pandehuri gjendet duke u mbrojtur në liri, do ta përsërisë atë.