Gjykata lavdërohet për transparencë
Pejë, 4 qershor - Themelimi dhe funksionimi i zyrave të informimit nëpër gjykatat e Republikës së Kosovës është mirëpritur nga qytetarët.
Edhe qytetarët e Pejës kanë thënë fjalë të mira për Zyrën e Informimit të Gjykatës Themelore të Pejës.
Ata janë shprehur se qyshkur është themeluar kjo zyrë e dinë se çfarë punohet në këtë gjykatë dhe janë koherentë me zhvillimet në drejtësinë pejane.
Selvane Bukleta, zëdhënëse e Gjykatës Themelore të Pejës, ka thënë se i vjen mirë për vlerësimet e qytetarëve. Vlerësimet e qytetarëve për transparencën e Gjykatës Themelore të Pejës janë të mirëseardhura, madje motivojnë për ta vazhduar punën kështu. Që nga viti 2013 ka filluar funksionimi i zyrave të informimit. Nga kjo periudhë kohore, transparenca, efikasiteti dhe besimi i qytetarëve drejt këtij institucioni gjyqësor ka treguar rritje të kënaqshme.
Edhe Zyra për Informim Publik në Gjykatën Themelore të Pejës ka filluar të funksiononte qysh në vitin 2013 si pasojë e riorganizimit të gjykatave, ka treguar Bukleta, duke shtuar se qëllimi kryesor i funksionimit të kësaj zyre është përmirësimi i transparencës së punës së gjykatave, përmirësimi i komunikimit të gjykatave me palët, përmirësimi i efikasitetit dhe efektivitetit të punës së gjykatave, rritja e llogaridhënies dhe përgjegjësisë për ushtrimin e funksioneve gjyqësore dhe atyre administrative si dhe rritja e besimit te qytetarët. Sipas zëdhënëses Bukleta, para funksionimit të kësaj zyre qytetarët e kanë pasur të vështirë të pajisen qoftë edhe me informatën më të thjeshtë.
Para funksionimit të kësaj zyre qytetarët tanë skanë pasur mundësi ta marrin ndonjë informatë sado e thjeshtë të ketë qenë ajo. Mirëpo tani, secili prej tyre e ka vendin se ku të adresohet dhe ta përvetësojë informatën që atij i intereson, ka deklaruar Bukleta, duke bërë me dije se kjo zyrë i mbulon edhe nëndegët e saj në Deçan, Klinë dhe Istog, të cilat funksionojnë në kuadër të Gjykatës Themelore të Pejës.
Bukleta ka treguar se të gjithë gjykatësit e Gjykatës Themelore të Pejës janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjithë ata që kërkojnë të kenë qasje në ndonjë informatë, në të cilën kanë të drejtë. E veçanta e gjykatës sonë është se lejohet xhirimi me kamera, incizimi tonik, fotografimi si dhe qasja në seancat gjyqësore, të cilat mbahen në salla. Brenda këtij institucioni nuk mungon transparenca, pavarësisht faktit se e kemi një numër shumë të vogël të gjykatoreve, krahas numrit të gjyqtarëve. Por, falë stafit profesional përpiqemi në mënyrë sa më racionale të ndajmë hapësirë për ato lëndë që janë më të rëndësishme në këndin e pjesëmarrjes së publikut, është shprehur Bukleta. (Epoka e re )