Gjykata Kushtetuese nuk ia liron objektin Avokatit të Popullit
Prishtinë, 31 janar - Objekti i Gjykatës Kushtetuese ishte caktuar si vend ku do të vendoset Avokati i Popullit, por Gjykata Kushtetuese këmbëngul mos ta lëshojë atë.
Gjetja e një objekti të përshtatshëm për Avokatin e Popullit, është edhe një ndër kriteret e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave. Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, për RTK Radio thotë se kjo është çështje delikate.
Që nga viti 2012 ekziston vendimi i Ministrisë së Administratës Publike që përcakton që Institucioni i Avokatit të Popullit të vendoset në ndërtesën e Gjykatës Kushtetuese në Prishtinë. Por ky vendim nuk po respektohet nga Gjykata Kushtetuese.
Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar e vlerëson si zgjidhje optimale, largimin e Gjykatës Kushtetuese nga objekti aktual, në mënyrë që aty të vendoset Avokati i Popullit.
Për ti plotësuar të gjitha kushtet, ndoshta prapë është vendimi më i lehtë edhe nga aspekti teknik që GJykata Kushtetuese të akomodohet në ndërtesën e Pallatit të Drejtësisë. Por, sidoqoftë, nëse kjo çështje nuk realizohet, ne jemi duke tentuar që të bëjmë zgjidhje, por këto zgjidhje në këtë moment janë shumë delikate, tha Jagxhillar për Radio Kosovën.
Në Gjykatën Kushtetuese nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje se si do të veprojnë. Ndërsa Majlinda Sinani Lulaj, zëdhënëse e Avokatit të Popullit, thotë se presin që të realizohet kërkesa e tyre për sigurimin e një objekti të përshtatshëm.
Ne mbesim me shpresë së autoritetet publike, institucionet përkatëse dhe njerëzit që kanë marrë përgjegjësi në këto institucione do të jenë të përgjegjshëm dhe do të jenë të arsyeshëm kundrejt kërkesës dhe nevojës, apo më sakt të themi domosdoshmërisë, për të siguruar në një afat sa më të shkurtër kohor një objekt për Institutionin e Avokatit të Popullit, tha Sinani Lulaj për Radio Kosovën.
Gjetja e një objekti të përshtatshëm për Avokatin e Popullit është edhe një prej kritereve të Komisionit Evropian për plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave, që është kërkuar të plotësohet shumë shpejt. Njohësi i integrimeve evropiane, Emrush Ujkani, thotë se kjo është dëshmi se plotësimi i kritereve për liberalizimin e vizave është në vullnetin e vetë institucioneve të Kosovës.
Unë mendoj që është shumë teknik dhe e dyta ne e kemi tashmë të qartë se nëse mbesim peng i një kriteri të tillë, atëherë nuk duhet ti adresojmë kritikat të Brukseli, gjë që unë mendoj se edhe për të gjitha kriteret tjera nuk kemi të drejtë tia adresojmë Brukseli assesi. Pra kjo edhe njëherë dëshmon se është në vullnetin tonë dhe të institucioneve tona për ti plotësuar këto kritere apo jo, tha Ujkani për Radio Kosovën.
Megjithëse në Gjykatën Kushtetuese nuk kanë dhënë përgjigje, Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar ka thënë se nga kjo gjykatë ka një pyetje nëse mund të jetë edhe Gjykata Kushtetuese në të njëtin objekt me sistemin tjetër gjyqësor. Sidoqoftë, Jagxhillar tha se nuk mund ti jap përgjigje kësaj çështje, porse mund të thotë se edhe Kushtetuesja e ka objektin e saj në Pallatin e Drejtësisë, dhe vendosja e saj në këtë objekt, do të ishte zgjidhja më e mirë, për faktin se edhe objekti aktual i Gjykatës Kushtetuese i plotëson nevojat që kërkohen për Institucionin e Avokatit të Popullit.
/RTK/