Gjykata Kushtetuese informohet me zgjedhjen e Kryeprokurorit
Prishtinë, 25 shkurt - Këshilli Prokurorial ia ka përcjellë Gjykatës Kushtetuese një informatë të shkurtër përkitazi me zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe një më të gjatë e ka nisur edhe në adresë të presidentes Atifete Jahjaga. Jahjagës i ka propozuar që ta dekretojë të nominuarin për këtë pozitë, Aleksandër Lumezi.
Lumezi është nominuar të premten si njeri i parë i organit të akuzës, në një proces që është përmbyllur me vetëm një kandidat.
Pesë të tjerë Shyqyri Syla, Imer Beka, Metush Biraj, Laura Pula e Agron Galani ishin tërhequr nga gara, me arsyen se në të kishte anshmëri dhe ishte e komprometuar.
Lumezi ka thënë se ky ishte një veprim i koordinuar, me qëllim për ta komprometuar procesin, shkruan sot Koha Ditore.
Ai ishte zgjedhur edhe para tetë muajsh, por Kushtetuesja e kishte rrëzuar nëpërmjet një aktgjykimi. Kushtetuesja e kishte urdhëruar Këshillin Prokurorial që ta përsëriste procedurën e zgjedhjes, në pajtim me aktgjykimin dhe që të dorëzojë në Gjykatë informata për masat e marra për zbatimin e këtij aktgjykimi.