Gjykata konfirmon aktakuzat ndaj Haraçisë dhe Beqirit
Prishtinë, 24 dhjetor - Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj dy ish-ministrave të Kulturës, Astrit Haraçija dhe Valton Beqiri, si dhe producentëve Armond Morina e Nehat Fejza.
Haraçija akuzohet për veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare, ose autorizimit, pasi duke tejkaluar autorizimet e tij kishte nënshkruar, në kundërshtim më ligjin, dy kontrata në vlerë 570 mijë euro.
Ndërsa Valton Beqiri, kishte nënshkruar anekskontratën me Morina Films, duke transferuar 100 mijë euro si subvencione për realizimin e filmit Mysafir në Sofër, këta filma nuk u realizuan asnjëherë.
Ish-ministrat e Kulturës, Astrit Haraçija dhe Valton Beqiri, si dhe producentët Armond Morina dhe Nehat Fejza, pritet të dalin para gjykatësit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ku edhe do të zhvillohet gjykimi kundër tyre.
Gjykata në vendimin e saj mbi konfirmimin e ka konfirmuar aktakuzën në të gjitha pikat e saj, ashtu siç prokurorja Drita Hajdari, kishte kërkuar në seancën e fundit të mbajtur për këtë çështje. Aktakuza është konfirmuar për të gjithë të pandehurit.