Gjykata i pranon si prova mesazhet për ryshfet ndaj Limajt
Prishtinë, 23 janar - Gjykata e Apelit ka pranuar si prova të pranueshme disa përgjime telefonike të Shpëtim Telakut që negocion ryshfetin në emër të shefit të tij, Fatmir Limaj.
Telaku, truprojë e ish-ministrit të Transportit, Fatmir Limaj, ishte përgjuar ligjshëm në vitin 2008, kur ishte zbuluar se po negocionte me biznesmenin Ali Aliu, që në këmbim të dhënies së tenderëve për ndërtim rrugësh, të paguhej ryshfet.
Kolegji i përbërë nga Elika Ficheva - Ermenkova, kryetare dhe Abdullah Ahmeti e Vahid Halili anëtarë, kanë urdhëruar prokurorin që të ndërtojë akuzën bazuar në aktvendimin e tyre, kundër të cilit nuk mund të ketë ankesë, përcjell koha.net.
Prokurori ishte ankuar kundër aktvendimit të kryetares së trupit gjykues, Anna Adamska Galant, e cila në maj të vitit të kaluar kishte përjashtuar këto përgjime nga provat materiale.
Rrjedhimisht kishin rënë edhe disa pika të aktakuzës. Kolegji ka aprovuar pjesërisht edhe ankesat e avokatëve Tahir Rrecaj dhe Bajram Tmava të bëra në emër të Fatmir Limajt dhe Nexhat Krasniqit.
/Koha Ditore/