Gjykata e Qarkut në Prizren liron Blerim Kuçin
Prishtinë, 4 maj - Gjykata e Qarkut në Prizren ka liruar nga burgu Kryetarin e Komunës së Suharekës Blerim Kuçi, pas 30 ditë qëndrimi.
Ai ishte burgosur me 6 prill nën akuzën për mosbashkpunim me organet e drejtësisë rreth të ashtuquajturit rasti Kleçka ku nën dyshimin për krime lufte po mbahen të arrestuar tetë persona.
Blerim Kuçi ka qëndruar në paraburgim për 30 ditë, me një vendim të Gjykatës së Qarkut në Prizren, pasi, siç është thënë, ai ka refuzuar të bashkëpunojë me organet e drejtësisë në cilësinë e dëshmitarit në hetimet për rastet e dyshuara të krimeve të luftës.
Avokati mbrojtës Ramë Gashi tha se Kuçi ka vujtur burgun e jo masën e paraburgimit.
Prokuroria Speciale pritet të qartësojë procedurën e mëtejme ligjore ndaj Kryetarit të Komunës së Suharekës Blerim Kuçi, pas dënimit të tij prej 30 ditësh në burgun e Prizrenit.
Kuçi ishte burgosur pas një gjobe paraprake që kishte vënë gjykata për shkak të mosbashkëpunimit të tij me organet e drejtësisë.
Avokati i tij Ramë Gashi se klienti i tij për akuzën ka marrë dënimin maksimal. Ai konsideron se në këtë rast janë bërë një varg shkeljesh.
Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse dënimi i Kuçit do ta lirojë atë nga përgjegjësia e mëtejme për të bashkëpunuar me prokurorinë në rastin Kleçka, pas dënimit maksimal që ka dhënë Gjykata.
Avokati i Blerim Kuçit tha se tani është çështje e prokurorisë se si do të veprojë më tutje. Por, ai përsëriti parimin se askush nuk mund të dënohet dy herë për të njëjtën vepër.
Kuçi ka refuzuar disa herë thirrjen e prokurorisë për të dëshmuar në cilësinë e një ish eprori të UÇK-së në rastin Kleçka.
Ndërsa, EULEX ka arsyetuar dënimin e Kuçit me atë se dëshmitari nuk ka qenë në gjendje të paraqesë arsye ligjore përse nuk u përgjigjet pyetjeve të prokurorit.