Gjykata e Hagës shpalli te pafajshëm Haradinajn, Brahimajn e Balajn
Gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tyre, sapo të plotësohen procedurat e këtij procesi.
Vendimi i gjykatës së Hagës është pritur me fishekzjarre në sheshin kryesor të Prishtinës ku qindra persona ishin mbledhur duke parë live seancën gjyësore për tre ish-luftëtarët e UÇK-së.
Haradinaj për herë të parë ishte akuzuar nga Haga, në vitin 2005, kur kishte mbushur njëqind ditë në krye të Qeverisë.
Të tre ata janë rigjykuar pjesërisht nën akuzën për trajtim mizor, torturim dhe vrasje të të burgosurve në atë që quhej kampi ushtarak i Jabllanicës, më 1998.
Në vitin 2008, Haradinaj dhe Balaj janë liruar nga të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa i akuzuari i tretë, Brahimaj, është dënuar me gjashtë vjet heqje lirie për trajtim mizor dhe torturim të të burgosurve të UÇK-së.
Rigjykimi, që ka nisur më shumë se dy vjet më parë, ka ardhur si kërkesë e prokurorisë së Tribunalit të Hagës për ti dëgjuar dëshmitë shtesë të dy dëshmitarëve të rëndësishëm.
Lahi Brahimaj ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së me bazë në Shtabin e Jabllanicës në komunën e Gjakovës dhe shërbeu si zëvendëskomandant në zonën e Dukagjinit për një periudhë të shkurtër si dhe ishte vartës dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Ramush Haradinajt, njihej me pseudonimin Magjupi.
Idriz Balaj ishte anëtar i UÇK-së, shërbeu si komandant i njësisë së posaçme e quajtur Shqiponjat e Zeza; ishte vartës i Ramush Haradinajt, gjithashtu i njohur si Togeri.
Ndersa Ramush Haradinaj ishte Komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në Zonën Operative të Dukagjinit, që ndodhet në perëndim të Prishtinës, e cila përfshinte komunat e Pejës, Deçanit, Gjakovës, dhe pjesë të komunave të Istogut dhe Klinës; gjithashtu i njohur si Smajl.