Gjykata e Apelit kryen për tre muaj gati 3 mijë lëndë

Prishtinë, 10 prill - Në bazë të raportit të tremujorit të parë të këtij viti nga 1 janar 2014 deri me 31 mars 2014, Gjykata e Apelit e Kosovës ka kryer gjithsej 2928 lëndë.
Përmes një kumtese të lëshuar, Gjykata ka bërë me dije se më së shumti lëndë janë kryer nga gjyqtarët e departamentit civil.
Puna më e madhe del të jetë bërë në departamentin civil, ku punojnë 12 gjyqtarë, e të cilët krejt se bashku kanë zgjidhur 1082 lëndë, që i bie mesatarisht nga 90 lëndë secili, thuhet mes të tjerash në njoftimin e gjykatës.
Gjatë periudhës së njëjtë kohore, Gjykata e Apelit ka pranuar edhe 3 mijë e 165 lëndë të reja nga të gjitha lëmitë, por shumica nga to thuhet se janë raste civile.
Këto dhe rastet e trashëguara nga viti paraprak kanë bërë që numri i ankesave të pazgjidhura aktualisht në këtë gjykatë të jetë 7 mijë e 253, thuhet më tutje në kumtesë.
Në gjykatën e Apelit punojnë 32 gjyqtarë.
Gjatë muajit të kaluar është shpallur konkursi edhe për shtatë gjykatës të ri, të cilët do të fillojnë punën në muajin qershor.