Gjermania do të ndihmojë në procesin e kthimit të kosovarëve
Prishtinë, 19 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Turqinë dhe vendet e EFTA-s në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Ernst Reichel.
Kryeministri Mustafa dhe z. Reichel diskutuan për proceset në Kosovë, për çështjen e migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës si dhe agjendën integruese evropiane të Kosovës.
Kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e Republikës së Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë për shtetin e Kosovës, në të gjitha fushat.
Më pas, kryeministri Mustafa foli për hapat konkret dhe angazhimin e Qeverisë në ndalimin e migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës.
Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa theksoi masat të cilat po ndërmerren nga Qeveria në parandalimin e migrimit ilegal, si dhe për përgatitjet për pranimin e kosovarëve që janë larguar së fundi, duke kërkuar edhe përkrahjen e vendeve të BE-së në punësimin sezonal të qytetarëve të Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa foli edhe për agjendën e prioriteteve të Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të punës, tërheqjen e investimeve të huaja, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat substanciale që do të ndërmerren në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, me qëllim të përmirësimit të jetës së të gjithë qytetarëve.
I dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Turqinë dhe vendet e EFTA-s në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Ernst Reichel, shprehu përkrahjen e mëtutjeshme të Gjermanisë për Kosovën.
Lidhur me migrimin ilegal të qytetarëve të Kosovës, Reichel theksoi se Gjermania do të ndihmojë në procesin e kthimit të kosovarëve që kanë migruar kohët e fundit, si dhe për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e perspektivës në Kosovë.