Gjermani, kapen 10 klandestinë kosovarë
Berlin, 8 mars - Policia kufitare gjermane ka arrestuar në kufirin me Austrinë 10 shqiptarë nga Kosova, të cilët po përpiqeshin të hynin ilegalisht në Gjermani.
Sipas raportimeve të mediave ballkanase, kosovarët janë arrestuar në afërsi të Rosenheimit, teksa udhëtonin në bordin e disa veturave.
Një nga personat e ndaluar zotëronte një makinë luksoze me targa gjermane dhe i tha policit të patrullës se i kishte harruar dokumentat në shtëpi.
Një gjë e tillë bëri që agjentët të dyshonin dhe të kontrollonin me imtësi udhëtarët, duke zbuluar se ata ishin të gjithë klandestinë.
Ndërsa drejtuesi i makinës luksoze jetonte rregullisht në Gjermani. Ndërkohë, gjatë kontrolleve të ushtruara në automjete, policia gjeti edhe disa pasaporta të falsifikuara serbe.
Kosova është një vend burim emigracioni që vjen si rrjedhojë e kushteve të rënda sociale dhe ekonomike. Vendi renditet i treti në botë pas Kinës dhe Irakut përsa i përket emigracionit.