Gjermani, Aksidentohet autobusi me udhëtarë kosovarë
Munich, 6 janar - Siç njofton agjencia gjermane e lajmeve DPA, të enjten paradite në austostradën A8 në mes të Munichut dhe Shtutgartit në Gjermani, një kamion është ndeshur me një autobus të mbushur përplot me udhëtarë nga Kosova.
Sipas njoftimeve të para të bëra nga policia e Augsburgut, në ora 7:15 të mëngjesit, kamioni me tabela regjistrimi italiane dhe drejtues italian, është ndeshur me autobusin e udhëtarëve mes pompës së benzinës në Zusmarshausen dhe daljes nga autostrada Adelsried, pika këto mes Munihut dhe Shtutgartit.
Në të dy drejtimet autostrada tash e disa orë është mbyllur kurse sipas të dhënave të para ka edhe të lënduar rëndë nga ky aksident.
Siç ka mësuar Zëri, nga ky aksident janë lënduar rreth 30 udhëtarë kurse katër prej tyre kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Shumë prej udhëtarëve po trajtohen në vend të ngjarjes dhe në spitalin e qytetit të Augsburgut në gjermani.
Poashtu është bërë e ditur që fjala është për agjencionin e udhëtimeve Vector me seli në Kosovë dhe Gjermani. Dy prej udhëtarëve njoftohet të jenë lënduar rëndë.
Ndërkaq, policia gjermane ende nuk ka dhënë asnjë informatë rreth identitetit të kompanisë së autobusit dhe udhëtarëve nga Kosova.