Gjermanët do ta furnizojnë MPB-në me pasaport
Prishtinë, 5 prill - Gjykata e tenderëve i ka dhënë të drejtë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe e ka bërë të plotfuqishëm vendimin e saj që të nënshkruajë kontratë me kompaninë Giesecke&Devrient GmbH për furnizim me pasaporta elektronike.
Në rast se MPB-ja e zbaton vendimin e OSHP-së, atëherë kontrata me kompaninë gjermane do të ketë një vlerë prej 6 milionë e 631 mijë e 896 eurosh, raporton Koha.
Organi Shqyrtues i Prokurimit i ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e kompanisë sllovene Cetis për shkelje ligjore në procesin e tenderimit. Seanca dëgjimore është mbajtur të enjten, paneli shqyrtues i kryesuar nga Hysni Hoxha dhe dy anëtarët, përkatësisht Tefik Sylejmani dhe Osman Kryeziu, ka vendosur që të hedhën poshtë të gjitha pretendimet e kompanisë ankuese.