Gjenerallejtënant Rrahman Rama në vizitë zyrtare në Gjermani
Berlin, 11 shkurt - Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, me ftesë të Zyrës për Bashkëpunim dhe Siguri të Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, së bashku me një delegacion të FSK-së, nga data 9 deri më 14 shkurt 2016, po qëndron për një vizitë pune në Komandën Trajnuese të Përbashkët Multinacionale në zonën trajnuese Grafenwoehr në Gjermani.
Qëllimi i vizitës së komandantit të FSK-së është pjesëmarrja në Kursin Reagues për Udhëheqje.
Gjeneral Rama së bashku me delegacionin e tij u prit nga stafi i lartë i Qendrës trajnuese, ku me këtë rast personeli i Komandës Trajnuese i njoftoi gjerësisht lidhur me sistemin e Kursit Reagues për Udhëheqës.
Në këtë Qendër trajnimi po merr pjesë edhe një skuadër e FSK-së e cila do të zhvillojë trajnime të përbashkëta me skuadrën nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, vazhdon vizitën zyrtare në Gjermani deri më 14 shkurt.