Gjenerallejtënant Kadri Kastrati pritet me nderime ushtarake në Suedi
Stokholm, 21 maj - Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së) gjenerallejtënant Kadri Kastrati i ftuar nga Komandanti i Forcave te Armatosura te Suedisë gjenerallejtënant Jan Salestrand do të qëndrojë në vizitë zyrtare në Suedi.
Qëllimi i kësaj vizite është zhvillimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit mes dy forcave, Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së) si dhe Forcave të Armatosura të Suedisë (FAS).
Komandanti i FSK-se gjatë vizitës zyrtare në Suedi, ka kërkuar mbështetjen e mëtejshme te Suedisë me këshilltarët në Ekipin Këshillues të NATO-s (NAT) dhe Ekipin Ndërlidhës Këshillues të NATO-s (NLAT).
Kurse në fokus te takimeve ishte përkrahja e Forcave te Armatosura te Suedisë sidomos në ngritjen e Njësisë Rajonale të Kërkim Shpëtimit dhe Qendrës së Ekselencës, duke përkrahur trajnimin e instruktorëve, mbështetja me pajisje dhe përkrahja për trajnimin dhe certifikimin e stafit të Njësisë rajonale të Kërkim Shpëtimit nga INSARAG.
Komandanti i FSK-se me delegacionin e tij gjithashtu ka pasur takime zyrtare edhe me ushtruesin e detyrës së Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura të Suedisë gjenerallejtënant Jan Salestrand, pastaj ka takuar Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes Carl von der Esch dhe Shefin e Shtabit te Armatës Suedeze Gjeneralmajor Anders Brannstrom.
Gjenerallejtënant Kadri Kastrati ka vizituar edhe Regjimentin e Gardës Kombëtare ku u prit me nderime të larta ushtarake, këtë rast komandant Kastrati u njoftua më për së afërmi me strukturën, misionin dhe aftësitë mobilizuese dhe nivelin profesional të gardës Kombëtare të Suedisë.
Komandanti i FSK-së Kadri Kastrati i shoqëruar nga Drejtori i Operacioneve në ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK) gjeneral brigade Zymer Halimi, Këshilltari ushtarak Nënkolonel Fadil Hoxha dhe i caktuari në detyrën e atasheut te FSK-së në Suedi Major Sefer Shyti.
Pas përfundimit të vizitës në Suedi komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati do të vizitojë Kroacinë ku do të merr pjesë në aktivitetin e zgjedhjes së ushtarit më të mirë në kuadër të ushtrive të NATO-s.