Gjenerallejtënant Kadri Kastrati dekorohet me Urdhrin e Pavarësisë
Prishtinë, 13 mars - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, të cilin e dekoroi me Urdhrin e Pavarësisë.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Isa Mustafa, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, z.Haki Demolli, si dhe zyrtarë të tjerë të FSK-së.
Presidentja Atifete Jahjaga falënderoi gjenerallejtënant Kadri Kastratin, në përfundimin e detyrës së tij si komandant i FSK-së, për përkushtimin e tij shumëvjeçar në ndërtimin e këtij institucioni shembull të Republikës së Kosovës.
Ajo tha se gjenerallejtënant Kastrati po e përmbyll këtë detyrë, duke lënë pas veten një institucion profesional, të gatshëm për të marrë përgjegjësitë që i takojnë në garantimin e sigurisë kombëtare, që ngërthen në vete vlerat dhe idealet e Republikës së Kosovës dhe aspiratën tonë për të qenë pjesë e infrastrukturës euroatlantike të sigurisë.
Nën udhëheqjen tuaj e kemi parë FSK-në të ngritet mbi çdo sfidë, të fuqizohet dhe të kalojë barriera fizike, me shtrirjen e dorës së ndihmës secilit qytetar të Kosovës. Ju keni dhënë kontribut të çmueshëm për ndërtimin e vizionit për të ardhmen e FSK-së dhe transformimin e kësaj force në Forcat e Armatosura të Kosovës, një përgjegjësi që u mbetet ta jetësojnë pasardhësit tuaj, tha Presidentja Jahjaga.
Në vijim të ceremonisë, për rolin dhe kontributin e dhënë në shërbim të shtetit tonë, në forcimin dhje konsolidimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës dhe ndërtimin e këtij institucioni shtyllë të vendit tonë, Presidentja Jahjaga e dekoroi gjenerallejtënant Kadri Kastratin me Urdhrin e Pavarësisë.
Nga ana e tij, z.Kastrati falënderoi Presidenten Jahjaga për vlerësimin për punën e tij, falënderoi ushtarët , nënoficerët dhe oficerët e FSK-së, ministrin e FSK-së, për përkrahjen e vazhdueshme për zhvillimin dhe transformimin e FSK-së.