Gjeneral Miglietta i dorëzon Komandën e KFOR-it Gjeneral Fungo
Prishtinë, 1 shtator - Sot në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it, në Kampin Film City mbahet ceremonia e ndërrimit të komandës në mes të Gjeneral Majorit në largim Guglielmo Luigi Miglietta dhe Gjeneral Majorit në ardhje Giovanni Fungo.
Gjeneral major Guglielmo Luigi Miglietta mori detyrën e koamandantit të KFOR-it në 7 gusht 2015 nga gjeneral major Franqesko Paolo Figliuolo, i cili nga 3 shtatori 2014 pasoi Gjeneral Majorin Salvatore Farina.
Të tre këta komandantë të KFOR-it janë italianë dhe pasonin Gjeneral Majorin gjerman Volker Halbauer, i cili në 7 shtator 2012 mori detyrën e komandantit të KFOR-it, për të katërtën herë radhazi një gjeneral i Bundesverit.
KFOR thekson se Forca e Kosovës, siç është përcaktuar me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244, do të vazhdojë që në mënyrë të paanshme të përparojë një ambient të qetë dhe të sigurt dhe të ruajë lirinë e lëvizjes në mbarë Kosovën, duke siguruar stabilitet dhe ofruar siguri në Kosovë për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë.