Gjeneral major Timoty Orr po qëndron për një vizitë zyrtare në FSK
Prishtinë, 2 korrik - Ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës(FSK), Agim Çeku dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati, pritën në takime të ndara, Komandantin e Gardës Kombëtare të Aiovës, gjeneral major Timoty Orr, me bashkëpunëtorë, si dhe Atasheun Ushtarak të SHBA-ve në Prishtinë, kolonel James Kott.
Ministri dhe komandanti i FSK-së, fillimisht e falënderuan gjeneralin Orr, për ndihmën e madhe që po jep SHBA-ja dhe Garda Kombëtare e Aiovës, në ngritjen profesionale të FSK-së.
Ministri i FSK-së Agim Çeku dhe komandanti i Gardës Kombëtare të Aiovës, biseduan edhe për bashkëpunimi e mëtejmë në mes të dy institucioneve; Gardës Kombëtare të Aioves dhe FSK-së, për veprimet konkrete si dhe zgjerimin e programit të partneritetit edhe në fusha tjera, në konceptin \"Tërë Aiova për Tërë Kosovën\", si dhe thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen dhe kontributi i stafit të Aioves përmes Ambasadës Amerikane dhe përfaqësuesve të tyre, që janë pjesë të NAT-it.
Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjeneral Kastrati, e njoftoj gjeneral Orrin, me të arriturat e përgjithshme të FSK-së, me theks të veçantë, pjesëmarrjen në ushtrimet rajonale, të mbajtura në Shqipëri dhe Maqedoni, për Rishikimin e Sektorit Strategjik të Sigurisë si dhe për marrëveshjet e bashkëpunimit, siç, është SOFA.
Në fund, komandanti i Gardës Kombëtare të Aiovës, gjeneral major Timoty Orr, shprehu gatishmërinë që edhe në të ardhmen, do ta ndihmojnë FSK-në.