Gjendja në veriun e Kosovës është ende sfidë
Prishtinë, 26 gusht - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti sot në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it në Kosovë, gjeneralin Markus Bentler.
Kryeministri Thaçi e falënderoi gjeneralin Bentler për kontributin dhe punën e palodhshme si komandant i KFOR-it në një periudhe te rëndësishme për Kosovën duke i dëshiruar sukses në karrierën e tij të mëtejshme.
Institucionet dhe qytetaret e Kosovës çmoje lartë dhe kane besim të plotë ne rolin e KFOR-it dhe të NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, tha kryeministri Thaçi duke siguruar gjeneralin Bentler për vazhdimësinë e bashkëpunimit te shkëlqyeshëm me komandantin e ri te KFOR-it.
Kryeministri Thaçi me këtë rast falënderoi gjeneralin Benlter dhe KFOR-in për ndihmën në ngritjen e Forcës se Sigurisë se Kosovës, si force profesionale, moderne sipas standardeve më të larta të NATO-s.
Z. Thaçi dhe z. Bentler janë pajtuar se bartja e kompetencave nga KFOR-i për ruajtjen e kufijve të Kosovës dhe te objekteve kulturore dhe fetare tek Policia e Kosovës është shenjë e përmirësimit të gjendjes së sigurisë por edhe të profesionalizimit të strukturave vendore të sigurisë.
Gjatë takimit është vlerësuar se gjendja në veriun e Kosovës është ende sfidë. Kryeministri Thaçi ka thënë se institucionet e Kosovës do të bëjnë çmos që atje të mbretërojë ligjshmëria, qeverisja demokratike dhe zhvillimi socio-ekonomik.
Komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler, ka falënderuar kryeministrin Thaçi për bashkëpunimin e sinqertë dhe është shprehur se KFOR-i mbetet i përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës.