22 Dhjetor 2024

Gjendja e sigurisë pas protestave në Mitrovicë vlerësohet e qetë

Mitrovicë, 5 korrik - Përfaqësuesit e strukturave politike dhe të sigurisë vlerësuan të hënën në takimin e rregullt të Komitetit për Siguri në Mitrovicë, se gjendja pas protestave të së premtes në veri të qytetit nga pjesëtarët e komunitetit serb, ku nga një shpërthim humbi jetën 1 dhe 11 të tjerë u plagosën, ka qenë e qetë.

U vlerësua angazhimi i strukturave të sigurisë që kanë shtuar masat pas tensionimit të situatës, pas protestave kundër hapjes së Qendrës për Regjistrim Civil nga Ministria e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës në Lagjen e Boshnjakëve.   

Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se aktet e dhunës janë të papranueshme.

Ai theksoi se është shumë me rëndësi zbardhja e rastit të shpërthimit që ka ndodhur të premten ku humbi jetën 1 dhe u plagosën 11 qytetarë, andaj kërkoj nga autoritet angazhim shtesë në këtë drejtim.

Në anën tjetër, drejtori për Mbrojte dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se pas atij incidenti autoritet e sigurisë kanë shtuar masat e sigurisë dhe gjendja gjatë vikendit ka qenë e qetë dhe pa probleme.

Ai theksoi nevojën e mbajtjes së masave të shtuara të sigurisë, për shkak të ndjeshmërisë së gjendjes në lagjet me popullatë të përzier në veri.

Ai tha se të shtunën është raportuar për një shqetësim nga banorët e fshatrave shqiptare të Komunës së Leposaviqit, pas lëvizjes së një grupi motoristësh në magjistralen Leposaviq-Mitrovicë, pranë rrugëve që lidhin këto fshatra.

Lidhur me incidentin e së premtes në veri të Mitrovicës, Avni Zaiti, nga policia rajonale e Kosovës, tha se është formuar një grup punues për zbardhjen e rastit që ka ndodhur atë ditë, ku pati të vdekur dhe të plagosur.

Ai njoftoi se prej të premtes Qendra për Regjistrim Civil në Lagjen e Boshnjakëve është siguruar nga pjesëtarët e policisë së Kosovës të stacionit jugor.

Ndërsa komandanti i stacionit jugor të policisë, kap.Bashkim Spahiu, tha se në zonën e përgjegjësisë së këtij stacioni gjatë dy javëve të fundit nuk ka pasur ndonjë incident serioz.

Ai tha se pjesëtarët e këtij stacioni kanë qenë të angazhuar në disa plane operative gjatë këtyre ditëve dhe nuk ka pasur probleme.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)