Gjendja e sigurisë në Mitrovicë paraqitet e qetë
Mitrovicë, 8 mars - Përfaqësuesit e strukturave politike dhe të sigurisë në Mitrovicë, vlerësuan të hënën në takimin e Komitetit për Siguri që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, se gjendja e sigurisë gjatë dy javëve të fundit ka qenë e qetë dhe pa probleme.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ylber Durmishi, tha se gjatë dy javëve të fundit nuk ka pasur ndonjë incident që do të reflektohej në sigurinë e përgjithshme.
Në anën tjetër, ai përmendi angazhimin e përbashkët të zjarrfikësve të jugut dhe veriut të Mitrovicës në një aksion të përbashkët për të gjetur një person të përkatësisë serbe, për të cilën me 3 mars është raportuar se ka humbur në fshatin Grabovc të Zubin Potokut.
Durmishi theksoi se kërkesës së familjarëve për të gjetur personin e humbur iu është përgjigjur Departamenti për Menaxhimin e Emergjencave nga Ministria e Brendshme e Republikës së Kosovës, që ka organizuar aksionin dy ditor për të gjetur personin për të cilin raportohet se është humbur, në të cilin kanë marrë pjesë edhe zhytësit nga Gjakova.
Ai tha se përkundër koordinimit të mirë, gjatë dy ditëve sa ka zgjatur aksioni nuk është gjetur personi i kërkuar.
Në anën tjetër, ai ceku edhe një sulm që ka ndodhur gjatë kësaj periudhe kohore ndaj një të riu të përkatësisë etnike shqiptare në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës nga një grup personash që dyshohet të jenë të përkatësisë etnike serbe.
Durmishi ka kërkuar që strukturat përgjegjëse të marrin masa dhe të identifikojnë kryesit e këtyre sulmeve që janë duke ndodhur në këtë pjesë të qytetit.
Ndërkohë për gjendjen e sigurisë në jug të qytetit ka raportuar komandanti i stacionit të policisë, kap. Bashkim Spahiu, i cili ka thënë se nuk ka pasur ndonjë incident që do të reflektohej në sigurisë e përgjithshme të qytetarëve.
Ndërsa përfaqësuesit e KFOR-it kanë thënë se gjendja në përgjithësi është e qetë. Ata kanë përgëzuar policinë për punën e mirë që ka bërë sa i përket menaxhimit të manifestimit Epopeja e UÇK-së, që ka kaluar mirë dhe pa probleme.